Vënia e shiritit të kuq godinës së Urgjencës së spitalit të Laçit si pasojë e dëmtimeve në strukturë ngë tërmeti i 26 nëntorit ka bërë që ky shërbim të kryhet nën një çadër. Çadra është vënë mbi një sipërfaqe të pa shtruar dhe me dhe, dhe erërat që fryjnë ngrejnë flegrat e çadrës duke future edhe pluhurin brenda.

Kjo lë shumë për të dëshiruar për kushtet higjeno-sanitare ku kryehet shërbimi ambulator për pacinetët e sëmurë, aq më tepër kur dihet se shumica e rasteve që trajtohen këtu kanë të bëjnë me vënie serumi dhe marrje të mostrave të gjakut për analiza. Nga ana tjetër personeli mjekësor duket i mobilizuar dhe i përkushtuar për punë. Por edhe Shefi i Urgjencës së spitalit të Laçit, mjeku Agron Lala, pohon se kushtet e punës nuk janë optimal, e megjithatë përkushtimi i stafit të bluzave të bardha është maksimal.

Edhe gjatë përgatitjes së kronikës sonë, asistuam në ardhjen e një urgjence, pamjet e së cilës për mënyrën se si trajtohet pacienti, nuk kanë nevojë për koment, për vetë kushtet e kryerjes së këtij shërbimi në çadër, ku mund të rrezikohet edhe më tej shëndeti i të sëmurëve. Dimri që ka trokitur e përkeqëson më shumë këtë situatë, nëse organet kompentente nuk marrin masa për zhvendosjen e Urgjencës së spitalit të Laçit në një godinë më komode.