Një ngjarje e rëndë u shënua me 4 Mars në Shkopet, pak metra larg hidrocentralit ku një 84-vjeçare që po kalonte mbi këtë urë, u rrëzua dhe për pasojë humbi jetën. Ura në fjalë ishte rindërtuar nga vetë banorët pasi ishte prishur nga shirat e 3 dhjetorit të vitit 2010. Por për më shumë se një dekadë, as pushteti qëndror e as ai vendor nuk morën asnjë masë për ta rindërtuar sipas standardeve.

Ndërkohë, një tjetër urë që rrezikon jetën e banorëve është edhe kjo në fshatin Skuraj. Prej disa vitesh, shtresa e urës është e ndarë në disa pjesë, ndërsa nuk është marrë asnjë masë për ta riparuar. Dile Kola thotë se në këtë urë kalojnë fëmijë e të moshuar të cilën rrezikojnë të biejnë mbi ujërat e lumit Mat. Vetë ajo shprehet se ka qenë dëshmitare teksa një e moshuar mbeti varur në urë, por fatmirësisht nuk ra në ujërat e lumit. Dile Kola tha gjithashtu se pushteti vendor i Kurbinit as që do t’ia dijë për ta, pasi i ka lënë totalisht në mëshirë të fatit.

Në Skuraj, jo vetëm që nuk është marrë asnjë masë për ta riparuar dhe për ta bërë të sigurtë kalimin mbi këtë urë, por as nuk është vendosur ndonjë sinjalistikë që të lajmërojë banorët apo vizitorët për rrezikun që ura paraqet nëse kalon mbi të.