Veprat e artit në rrugën nacionale Burrel – Skuraj janë kthyer në një problem për të gjithë përdoruesit e kësaj rruge. Veç urës së Karicës, e cila tashmë është futur në projektin për ndërtimin nga e para, të tjera ura kanë nevojë për ndërhyrje.

Bëhet fjalë për urat me gjatësi jo të madhe që ndodhen në afërsi të vendit të quajtur ish-pularia. Siç duket nga pamjet, për shkak të amortizimit të këmbëve të tyre por edhe të bazamenteve, janë krijuar deformime me të cilat përballen drejtuesit e automjeteve.

Ndonëse janë identifikuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar si ura proiblematike, urë e re do të ndërtohet vetëm 1 nga projekti i 27 urave në të gjithë vendin, ajo pranë urës së Karicës.

Ndonëse edhe për këtë është dhënë miratimi, ende nuk dihet se kur do të nisë ndërtimi i saj, ndërsa autoritetet kanë bërë vendosjen e sinjalistikës dhe ngushtueseve të hapsirës kaluese në mënyrë që të pengohet lëvizja e automjeteve me mbi 3.5 ton në total.

Megjithëse kjo është bërë shumë kohë më parë, automjetet e tonazhit të rëndë vijojnë të kalojnë mbi këtë urë, të diktuar edhe nga gjendja shumë e keqe e rrugës nga Ura e Matit deri në Rrëshen.

Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë thanë se deri sa të rregullohet rruga tjetër, janë të detyruar të qarkullojnë në aksin Burrel – Skuraj.