Ura e “Halilajve” ndodhet vetëm 750 metra nga qyteti i Klosit në hyrje të rrugës së fshatit Dars. Ura ka një strukturë shumë interesante me dy harqe. Kjo urë është ngritur në një vend shkëmbor mbi dy brigje të lartë e formuar me hark. Ura ka një gjatësi prej 15 m, gjerësia midis dy këmbëve të saj është 11 m, ndërsa lartësia nga pasqyra e ujit arrin 9 m. Traseja e rrugës ka një gjerësi 2.6 m dhe është e shtruar me gurë e pllaka gurësh lumi.
“Ura e Halilajve” thuhet se është ndërtuar nga një pjesëtar i fisit Halili. Kjo urë është ndër urat më të vjetra që gjenden sot të padëmtuara në Mat e që mban statusin monument kulture i kategorisë së parë. Ura në fjalë u merimetua pak muaj më parë pasi kalldrëmi mbi të rrezikonte të zhdukej.
Por në hyrje të qytetit të Klosit, ndodhet një tjetër urë guri e cila edhe kjo mban statusin Monument Kulture. “Ura e Allamanit” është lehtësisht e dukshme pasi është vetëm pak metra larg rrugës nacionale apo unazës së qytetit të Klosit. Konstrukti i saj është i njëjtë me urën e “Halilajve”, ndonëse në përmasa më të vogëla.
E nëse nuk e keni ditur për këto ura, është koha dhe momenti i duhur për t’i vizituar. Ato gjenden lehtësisht dhe infrastruktura për të shkuar aty është krejt e mundshme.