Dalja nga shtrati e përroi të Tharbnit në fshatin Urakë vazhdimisht ka shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore apo ekonomive të mbarshtimit të peshkut në këtë zonë.

Rasti më i fundit ishte ai i muajit Nëntor ku si pasojë e daljes së këtij përroi nga shtrati dhe tejmbushjes së liqenit të Ulzës, uji përmbyti disa hektar tokë bujqësore, varrezat e fshatit dhe ekonomitë e mbarështimit të peshkut.

Ndërkohë Mat Televizion ngriti shqetësimin e banorëve të zonës për këtë problematikë e cila i shoqëronte ata prej afro 5 vitesh. Për të shmangur të tjera përmbytje,Drejtoria së Shërbimeve Publike ka nisur punën për ndërtimin e një argjinature mbrojtëse.

Duke qenëse përmbytja ndodh që në lagjen Cemurataj, mjetet e ndërmarrjes së rrugëve kanë devijuar shtratin e përroit si dhe kanë ngritur pirgje zhavori në mënyrë që në ditët me shi, uji të mos vërshojë në toka bujqësore.

Drejtues drejtorisë së shërbimeve publike thanë se puna do të vijojë deri në fshatin Rukaj, ku dhe bëhet bashkimi i përroit të Tharbnit e ai i Kurvajës me liqenin e Ulzës.