Ura e fshatit Ndrelalaj, një ndër më të dëmtuarat
Një ndër urat e dëmtuara nga shirat e vitit 2016 është edhe kjo, në fshatin Ndrelalaj të Njësisë Administrative Baz në Bashkinë e Matit. Sipas banorëve të zonës, ura është e gjatë rreth 180 metra. Pas tejmbushjes së lumit Mat nga shirat e 2016, ura pësoi dëmtime sidomos në njërën anë të saj. Jashtë kameras banorët thonë se ura kërkon një rehabilitim të plotë sa i përket kavove dhe shtresës e cila është e kalbur. Për shkak të këtij dëmtimi, sipas banorëve kur liqeni Ulzës mbushet, ura humbet deri në 2 metër nën ujë.
Megjithëse në anën tjetër të liqenit të Ulzës në fshatin Ndrelalaj jetojnë shumë pak familje, dikur aty kishte shumë banorë. Një pjesë e fshatit që jeton në anën e Bazit ka toka bujqësore në anën tjetër, tokë e cila tashmë ka mbetur pa u punuar, për shkak të dëmtimit të urës.
Banorët që kanë tokat në anën tjetër, duhet që të dalin në Burrel pastaj në Urakë e në fund të shkojnë tek tokat e tyre, të cilat në vijë ajrore nuk janë më larg se 300 metra.