Kjo është një ndër urat me harqe që gjendjen në zonën e Klosit, e njohur si ura e “Halilajve” në hyrje të fshatit Dars. Ura besohet të jetë rreth 300-vjeçare dhe është pjesë e listës së monumenteve të kulturës, kategoria I, pranë Ministrisë së Kulturës. Pak vite më parë kjo urë iu nënshtrua një restaurimi nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, por kjo ndërhyrje mbeti vetëm me kaq. Ndonëse është një monument i veçantë, pranë tij nuk ndodhet asnjë tabelë informuese. Veç pamjes së saj shumë të bukur, të gjithë ata që e vizitojnë për herë të parë, nuk gjejnë informacionin e nevojshëm. Xhemal Guna, banor i fshatit Bel thotë se ka takuar turist të huaj që e kanë vizituar urën, por nuk kanë gjetur informacion për të pasi mungon tabela informuese në gjuhën shqipe dhe angleze. Veç kësaj, Xhemali sugjeron që i gjithë objekti duhet të jetë i dukshëm, pra të hiqet bimësia rreth tij.

Ura pozicionohet midis fshatit Dars, Bel e Fullqet. Ajo gjendet mbi degën e zallit të Gjabzës, rreth 500 metra larg grykëderdhjes së tij në lumin Mat. Është ngritur në një vend shkëmbor. Gjatësia e saj është 19,5 m dhe gjerësia e trasesë është 2.60 m. Lartësia e harkut të urës është 9 m. Ura ka një dritare me lartësi 1.7 m dhe gjerësi 1.1 m. Traseja e urës është ndërtuar me gurë ku: shtresa e parë (poshtë) është me gurë shtufor të gdhendur në mënyrë kuadratike dhe shtresa e dytë (sipër) është me gurë lumi. Harku i urës ka një gjatësi prej 15 m.