Ura që lidh fshatin Urakë me fshatin Perlat të Mirditës, pjesë e rrugës Shoshaj – rrëshen vijon të jetë në rrezik. Ndonëse kjo urë po gërryhet çdo ditë e më shumë në anën lindore, deri tani nuk është marrë asnjë masë. Megjithë gjendjen e degraduar të aksit i njohur si koridori i Matit, ka qarkullim automjetesh jo vetëm të banorëve që jetojnë në fshatrat përreth saj, por edhe të atyre që lëvizin në drejtim të rrëshenit apo Durrësit. Kjo urë është kufiri ndarës territorial mes Matit dhe Mirditës, ndërsa ajo është në territorin e bashkisë fqinje, por që siduket nuk i intereson ky aks rrugor.

Bashkia Mirditë e ka inventarizuar këtë rrugë e cila u ndërtua në vitin 2012 por nuk e ka mirëmbajtur ashtu siç duhet e për pasojë gjendja e veprave të artit është kjo që shihni.

  Jo vetëm që nuk është marrë asnjë masë, por nuk është vendosur as sinjalistikë paralajmëruese. Të gjithë ata që mund të lëvizin për herë të parë në këtë aks rrugor mund të përballen me befasi në hyrje apo dalje të urës.

Autoritetet përgjegjëse minimumi duhet të vendosin sinjalistikë pralarmëruese në distance dhe në afërsi të pjesës së dëmtuar. Por në këtë rast kanë qenë banorë të zonës që kanë vendosur sinjalistikë me mjete rrethanore.