Ura në hyrje të qytetit të Klosit pjesë e rrugës nacionale Burrel – Peshkopi po degradohet çdo ditë e ma shumë. Ura në fjalë është riasfaltuar me rikonstruksionin e bërë të segmentit Burrel – Klos. Por problemet e kësaj ure janë në qëndrueshmërinë e saj, pasi këmbët i janë dëmtuar. Banorët thonë se ekspertët që e kanë parë, kanë dalë në konkluzionin se duhet ndërhyrë sa më parë në të, pasi nuk ka asnjë siguri që të përballojë kalimin e mjeteve mbi të, sidomos të atyre të tonazhit të rëndë.
Veç problemit të sigurisë, mbi urë mungojnë edhe hapsirat e kalimit të këmbësorëve, çka përbën një rrezik të shtuar jo vetëm për banorët aty pranë por për qindra nxënës që kalojnë çdo ditë për të mësuar në shkollën “Tahir Hoxha” e “Shaban Çollaku”.
Ndërkohë Bashkia e Klosit i depozitoi në fillim të viti 2019 një projekt Autoritetit Rrugor Shqiptar ku i kërkoi financimin e tij, por deri tani ky projekt nuk është financuar.