Ura në hyrje të qytetit të Klosit pjesë e rrugës nacionale Klos – Burrel vijon të jetë një rrezik potencial për tu shembur. Amortizimi i këmbëve të kësaj ure ka bërë që siguria e kalimit në të të zvogëlohet akoma edhe më shumë. Prurjet e mëdha të përroit mbi të cilin është ndërtuar kjo urë, pak ditë më parë, kanë gërryer akoma më shumë këmbët e saj. Ndonëse nga sipër duket që gjithçka është në rregull, pot a shohësh nga poshtë, amortizimi është i madh. Banorët e zonës thonë se ura duhej të ishte rikonstruktuar apo ndërtuar e re vite më parë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ata shprehen se ndërhyrja duhet bërë emergjente sa ende nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi e rëndë në të.
Një tjetër problematikë e kësaj ure është edhe mungesa e hapsirës së kalimit të këmbësorëve. Banorët apo qindra nxënës të dy shkollave të këtij qytetit, si ajo 9-të vjeçare “Tahir Hoxha” dhe ajo e mesme “Shaban Çollaku” rrezikojnë jetën çdo ditë teksa kalojnë paralel me makinat në këtë urë.