Ura në hyrje të qytetit të Klosit pjesë e rrugës nacionale Burrel – Peshkopi vijon të jetë problematike për lëvizjen e këmbësorëve mbi të. Në këtë urë me fillimin e vitit të ri shkollor do të duhet të kalojnë në të njëjtën hapsirë me makinat qindra nxënës të shkollës 9-të vjeçare “Tahir Hoxha” dhe të gjimnazit “Shaban Çollaku”. Mungesa e korsisë së këmbësorëve ka vënë në rrezik jetën e fëmijëve të cilët shpeshherë përballen me befasi ku me rehabilitimin e rrugës, makinat lëvizin me shpejtësi. Prindër e fëmijë kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje për zgjidhjen e këtij problemi, por deri tani nuk është bërë asgjë.
Por ky nuk është problemi i vetëm që ka kjo urë. Për shkak të kohës së gjatë që është ndërtuar, ura në fjalë është e amortizuar dhe ka nevojë për rikonstruksion të plotë apo ndërtimin e një ure të re. Dëmtimet që kanë pësuar këmbët e saj nga gërryerja e përroit kanë shtuar pasigurinë në të. Po ashtu, ajo ka disa plasaritje që e bëjnë akoma edhe më të rrezikshme sidomos ku mbi të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë të ngarkuar me krom. Për këtë urë Bashkia Klos hartoi një projekt duke u bazuar edhe në planin rregullues të qytetit. Projekti në fjalë mori premtimin e vetë kryeministrit Edi Rama i ndodhur në nëntor të vitit 2017 në qytetin e Klosit. Por edhe pse kanë kaluar afro tre vite, projekti i depozituar pranë ministrisë së linjës, ende nuk ka gjetur financim.