Kjo është ura e Halilit në hyrje të fshatit Dars në Klos e cila është një ndër objektet e shpallura monument kulture dhe mbrohet me ligj. Mat Televizion e ka trajtuar disa herë problematikën e saj pasi nuk kishte asnjë lloj mirëmbajtjeje e jo më të ishte një destinacion turistik për vizitorët.
Duke mos pasur asnjë lloj kujdesi, ura ishte e mbuluar nga ferrat dhe bimësia, duke u bërë gati e padukshme, sidomos në stinën e pranverës dhe verës.
Ndërkohë, banorët nuk kanë pritur më ndërhyrje të instancave vendore apo qëndrore, por kanë ndërhyrë vetë. Ka qenë një i ri emigrant nga fshati Dars ai i cili ka marrë iniciativën dhe ka pastruar bimësinë mbi këtë urë, për ta bërë atë lehtësisht të dukshme nga të gjithë kalimtarët. E për këtë, të tjerë banorë thonë se gjesti i emigrantit duhet t’ju shërbejë instancave që e kanë për detyrë ta bëjnë.