Edhe pse në një gjendje të tillë, ura e Zogut mbi lumin Mat në Milot, vijon të tërheqë vëmendjen e udhëtarëve që kalojnë përmes rrugës së Kombit.

Ky çift të rinjsh nga Kosova është ndalur në udhëtimin e tyre pikërisht mbi këtë urë për të shkrepur disa fotografi me aparatet e tyre celulare.

Vëmendja e instancave shtetërore për këtë vepër madhore të kohës së mbretërisë lë për të dëshiruar. Gjatë muajve të verës, Bordi i Kullimit në Lezhë devijoi lumin e Matit duke e kaluar në anën veriore për vaditje. Kjo ka bërë që gërryerja e këmbëve të urës të jetë Akoma edhe më e madhe, duke vënë në rrezik ekzistencën e tyre.

E vetmja ndërhyrje që është bërë po nga ky institucion është në kanal ujëmbledhës përmes shtratit të lumit Mat, por që nuk e kryen totalisht funksionin për të cilin është ndërtuar.

Sa i përket konstruktit të urës, Ministria e Kulturës me drejtoritë në varësi nuk ka bërë asnjë ndërhyrje.

Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo gjendet në të djathtë të rrugës që të çon në Milot, në të dyja ekstremet e lumit Mat, që nga viti 1927. Është e njohur si Ura e Zogut, pasi vetë mbreti ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumëfunksionale, sidomos për kohën.