Ura e Zogut që ndodhet mbi lumin Mat në Milot, një ndër veprat më të bukura dhe të rralla në kohën e mbretërisë, por degradohet çdo ditë.

Edhe pse kjo urë rezulton tek monumentet e kulturës pranë Miniastrisë së Kulturës, kujdesi ndaj saj është zero. Ura është lënë totalisht në mëshirë të fatit dhe për pak kohë ajo mund të shembet e gjitha. Pamjet e këmbëve të saj në anën veriore janë vërtetë të frikshme pasi elementet metalik janë zhveshur nga ato të betonit, duke bërë që e gjithë pesha të qëndrojë mbi këto hekura.

Që me ndërtimin e rrugës së Kombit, ura nuk u përdor për kalimin e mjeteve, duke e bërë atë lehtësisht të aksesueshme nga persona të papërgjegjshëm që po i vjedhin çdo ditë elementët metalik për t’i shitur më pas për skrap.

Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo gjendet në të majtë të rrugës së Kombit, në të dyja ekstremet e lumit Mat, që nga viti 1927. E quajtur për shumë vite Ura e Zogut, vetë mbreti ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumëfunksionale, sidomos për kohën. Ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj. Ura është projektuar nga një inxhinier italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët.

Që nga viti 1999, Ura e Zogut është shpallur monument kulture, që sot i është lënë në dorë natyrës dhe keqbërësve.