Ndonëse është një ndër monumentet më të veçanta në Shqipëri për shkak të konstruktit të saj, ura me harqe në Milot po vijon të shkatërrohet e pikërisht nga instanca shtetërore.
Prurjet e lumit Mat gjatë muajve të shirave janë të pashmangshme, pasi sasia e ujit që rrjedh në këtë lum është tepër e madhe, gjë e cila pasoi edhe me dëmtimin e njërës prej këmbëve të kësaj ure.
Por gjatë muajve të verës, është Bordi i Kullimit dhe Ujitjes Lezhë që pothuajse gjithë rrjedhën e lumit e devijon pikërisht në anën veriore të urës, e cila është në rrezik të dëmtimit total.

Ekspertët thonë se fakti që uji po merret për vaditje, nuk do të thotë që duhet rrezikuar patjetër ura e cila është monument kulture. Ura në fjalë ka rënë pre e dëmtimit të elementëve metalik të cilët janë vjedhur për tu shitur për skrap. Ndërkohë megjithëse situata në rrezik e kësaj ure është bërë publike prej muajsh, Ministria e Kulturës apo institucionet nën varësi të saj ende nuk kanë marrë asnjë masë fizike për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm të kësaj vepre madhore të kohës së mbretërisë.