Është trajtuar disa herë mediatikisht, madje duke u dhënë edhe alarmi për dëmtimin përfundimtar të një prej veprave më të rëndësishme të periudhës së mbretësirë, siç është ura me harqe në Milot, apo e njohur ndryshe si “Ura e Zogut”. Vetëm pak kohë më parë një lajm i mirë u shpërnda në media ku thuhej se po hartohej një projekt për restaurimin e kësaj vepre, por nga ana tjetër, erozioni vijon të bëjë punën e tij, duke dëmtuar akoma më shumë konstruktin në anën veriore. Prurjet e shumta të lumit Mat gjatë ditëve të fundit ku ka patur vazhdimisht reshje shirash kanë ndihmuar në dëmtimin e mëtejshëm të trupit të urës duke bërë që ai të rrezikoi të mos presë ndërhyrjen për restaurim. Kolonat mbajtëse të urës po shkërmoqen nga agjentët atmosferike dhe si pasojë e zhytjes së një prej këmbave mbajtëse të urës. Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo gjendet në të majtë të rrugës së Kombit, në të dyja ekstremet e lumit Mat, që nga viti 1927.
E quajtur për shumë vite Ura e Zogut, vetë mbreti ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumëfunksionale, sidomos për kohën. Ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj. Ura është projektuar nga një inxhinier italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Që nga viti 1999, Ura e Zogut është shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë.