Ura tip pasarel e fshatit Rrethe-Baz në Njësinë Baz në Bashkinë e Matit që përdorej nga banorët për të kaluar në fshatin Urakë, vijon të jetë jashtëfunksionit.

Kjo urë u dëmtua nga prurjet e mëdha të lumit Mat në vitin 2016, e që prej tre vitesh nuk përdoret më për banorët. Në stinën e verës shumë nga banorët lëvizin mbi kavo, ndërsa me rritjen e nivelit të lumit, kalimi bëhet i pamundur.

Ura në fjalë vijon të qëndrojë nën ujë, duke u kthyer kështu edhe në pritësin e mbeturinave që transportohen nga lumi i Matit. Rikthimi i saj në gjendjen e mëparshme ka kosto të madhe pasi i janë dëmtuar edhe këmbët.

Megjithatë, një tjetër problematikë shihet në këtë urë. Disa nga kavot e saj në anën veriore janë hequr. Nuk dihet nëse ato janë marrë për t’u shitur për skrap apo për t’i përdorur diku tjetër. Jashtë kameras banorët thonë se nëse ura vijon të qëndrojë e tillë, mund të vazhdojnë t’i vidhen kavot, duke e bërë koston e rindërtimit të saj akoma edhe më të madhe.