Është një ndër veprat më të veçanta në llojin e saj në Shqipëri, por institucionet nuk po bëjnë asgjë për ta shpëtuar. Bëhet fjalë për urën e “Zogut” në Milot, një urë e ndërtuar nga vetë Mbreti i Shqiptarëve Ahmet Zogu.

Prej më shumë se 1 viti e gjysmë njëra nga këbët e saj në anën veriore është zhytur në tokë duke rrezikuar gjithë konstrutin e urës. E ndonëse kjo urë është monument kulture i kategorisë së parë, Ministria e linjës nuk ka marrë asnjë masë jo vetëm për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme por as për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm.

Pikërisht në anën e dëmtuar është hapur ujëmbledhësi për marrjen e ujit të lumit Mat për vaditje të tokave bujqësore të zonave të Lezhës. Jashtë kameras, banorë të zonës thanë se eskavatorët që vijnë për të ndërtuar veprën e marrjes së ujit për vaditje gërmojnë afër këmbëve të urës duke i dobësuar asaj mbështetjen në tokë. Ndonëse rasti është bërë me dhjetra herë problem mediatik, Ministria e Kulturës deri tani nuk ka marrë asnjë masë, ndonëse dëmtimi i saj ka ndodhur para 18 muajsh.

Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo gjendet në të dyja ekstremet e lumit Mat, që nga viti 1927. E quajtur për shumë vite Ura e Zogut, vetë mbreti ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumëfunksionale, sidomos për kohën.

Dritan Kurti