Aksi rrugor tashmë nën varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar nga Ura e Matit deri në vendin e quajtur Lapidari Zenisht ende vijon të jetë pa një përgjegjës për mirëmbajtjen e tij.
Ndonëse Autoriteti rrugor Shqiptar e ka tenderuar mirëmbajtjen e këtyre 4.5 kilometrave rrugë që me datë 11 Mars të këtij viti, ende nuk ka nxjerrë firmën fituese.
Sipas të dhënave zyrtare, tenderi i kësaj rruge është mbyllur me datë 8 Prill, por edhe pse jemi me datë 19 Maj, sërisht nuk është publikuar firma fituese që do të mirëmbajë këtë aks rrugor për 30 muajt e ardhshëm.
Burime për Mat Televizion thanë se ka patur ankesë nga firmat konkuruese ndaj dhe është zgjatur shpallja e fituesit deri në sqarimin e ankimimit.
Por me gjithë vonesat, rruga vijon të jetë problematike pasi ka prani të gropave në shumë pjesë të saj, e ndërsa mbushja e tyre privatisht pak muaj më parë është prishur. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge shprehen se me nxehjen e motit, pluhuri që shkaktohet nga qarkullimi i automjeteve në këtë aks rrugor po i dëmton rëndë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka tenderuar një fond prej 12.7 milion lekësh të rinj për një afat kohorë prej 2 vite e gjysmë mirëmbajtje me performancë.