Ura e Kariucës mbi rrugën nacionale Burrel – Tiranë vazhdon të jetë një shqetësim për drejtuesit e mjeteve që kalojnë mbi të. Ndonëse ata që vijnë nga qytete të tjera nuk e shohin amortizimin e kësaj ure, për banorët e zonës që jetojnë aty pranë, situata është problematike.

Ibrahim Kurti i cili banon në fshatin “Drita”, thotë se ura ka nevojë për ndërhyrje urgjente sidomos në anën lindore të saj. Për shkak të lëvizjes së tokës, një pjesë e urës në hyrje ka pësuar ulje duke rrezikuar gjithë objektin. Ibrahimi kërkon që të merren masa sa më parë në mënyrë që të shmanget ndonjë tragjedi e mundshme.

Kjo vepër është ndërtuar që me hapjen e këtij aksi rreth 60 vite më parë, dhe në të nuk është bërë asnjë proces përforcimi. Në këto kushte, banorët dhe psecialistët kërkojnë verifikim nga ekspertët e fushës dhe ndërhyrje të shpejtë në të.