Pasi është bërë disa herë problem mediatik, institucionet përgjegjëse kanë marrë vendimin për të mos lejuar kalimin e dy mjeteve paralel në urën e Karicës, pjesë e rrugës nacionale Burrel – Skuraj.
Pak ditë më parë është bërë vendosja e sinjalistikës së nevojshme në mënyrë që të mos futen dy mjete paralelisht në këtë vepër arti. Në të dy anët e urës është vendosur sinjalistikë vertikale që paralajmëron drejtuesit e mjeteve që ura është për kalimin e vetëm të një automjeti dhe jo në të dy senset e lëvizjes njëherësh.
Gjithashtu është vendosur sinjalistikë dalluese edhe në urë e cila bën të mundur kufizimin e hapsirës për kalimin e automjeteve.
Ura në fjalë është përfshirë tek projekti i rehabiltimit të disa urave në të gjithë vendin, por që deri tani nuk ka asgjë konkrete se kur mund të nisë zbatimi i këtij projekti.
Pjesa më problematike e kësaj ure është hyrja lindore e saj e cila ka pësuar dëmtim në njërin kah. Megjithatë, mbetet për tu parë nëse di të bëhet investimi i kësaj vepre arti në një rrugë shumë të rëndësishme për lidhjen e Qarkut Dibër me veriun e vendit.