Ura e “Halilajve” në Klos, një monument kulture që kërkon përkujdesje
Ura e “Halilajve” që ndodhet midis fshatrave Dars, Bel e Fullqet në Bashkinë e Klosit është një nga objektet e trashëgimisë tonë kulturore që mbrohet me ligj. E ndërtuar rreth 300 vjet më parë, Ura e Halilit është një vepër me stil ndërtimor venecian. E përcaktuar si objekt i Kategorisë së Parë, kjo urë mbart një histori të hershme mbi lëvizjen e jo vetëm banorëve të zonës, por edhe të Tiranës e Durrësit në drejtim të verilindjes së vendit. Ura me hark e ndërtuar prej guri është një nga objektet e rralla të kësaj zone. Kjo urë ka një gjatësi 11 m, gjerësi 2.7 m, lartësi, 15.3 m dhe trashësia nga 2.1 m në fillim në 1.1 m dhe 0.8 m në mes. Ndërkohë, kjo urë është nën përgjegjësinë e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë. Banorët e zonës kërkojnë që kjo Drejtori të kujdeset për të ashtu siç bëri pak vite me parë me restaurimin e shtresës së sipërme të urës. Por tashmë, Ura e Halilajve është e mbuluar nga bimësia, e si të mos mjaftonte kjo, anash saj janë hedhur mbetje inerte duke ofruar një pamje të shëmtuar për çdo vizitor. Banorët kërkojnë që kjo urë të mirëmbahet ashtu siç dhe e përcakton ligji për trashëgiminë kulturore. Veç probleme me bimësinë apo inerteve, urës i mungon edhe një tabelë informuese me historinë e saj.