Nis viti i ri shkollor, shkollat presin nxënësit nga kjo e hënë

Nis viti i ri shkollor, shkollat presin nxënësit nga kjo e hënë

2290 nxënës në Bashkinë e Matit kanë nisur këtë të hënë vitin e ri shkollor 2026 – 2027. Nga këto për herë të parë janë ulur në bankat e shkollës në institucionet arsimore të Bashkisë Mat 144 nxënës. Po ashtu në klasën e 10 me kohë të pjesshme janë regjistruar 50 nxënës. Për të uruar vitin e ri shkollor në ditën e parë të shkollës ishte Kryetari i Bashkisë Mat Altin Bojni, Drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Mat Lefter Salaj, Nënprefekti i Matit Hasan Pasha etj. Ndalesa e parë ishte me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Iliri Qiqi”. Më pas kryebashkiaku Altin Bojni uroi nxënësit e shkollës 9-vjeçare “31 Korriku”. Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Drejtoresha e Shkollës, Anila Stafasani dhe Drejtori i ZVA Mat, Lefter Salaj. Po ashtu, urime morën edhe nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” dhe ato të “28 Nëntori”-t. Drejtori i Gjimnazit Pjetër Budi”, Burrel, Qemal Sulaj kërkoi nga nxënësit që të ruhen rezultatet e larta të këtij institucioni arsimor ashtu si vitet e kaluara. Ndërsa Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni tha se pushteti vendor do të jetë gjithmonë në mbështetje të arsimit dhe rinisë. Edhe në Bashkinë e Klosit janë zhvilluar aktivitete për nisjen e vitit të ri shkollor, 2026 – 2027. 1300 nxënës janë këtë vit arsimor në të gjitha shkollat e Bashkisë Klos, ndërsa për herë të parë në bankat e shkollës do të ulen 90 nxënës.