“Ura e Halilajve”, mungon mirëmbajtja
Kjo është “Ura e Halilajve” në hyrje të fshatit Dars në Bashkinë e Klosit, e cila është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1977. Ky objekt është nën mbrojtjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Kulturës që monitorohet nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës Tiranë. Duke qenë se ka një rëndësi të madhe historike e kulturore, duhet të mirëmbahet vazhdimisht dhe të vendoset në shërbim të turizmit. Por siç duket nga pamjet, urën e ka mbuluar bimësia dhe nuk është vendosur asnjë tabelë informuese që tregon historinë e saj, në mënyrë që të gjithë vizitorët të mund të marrin informacionin e nevojshëm.
Banorët thonë se duhet më shumë kujdes në ruajtjen e saj pasi po abuzohet me hedhjen e mbeturinave aty. “Ura e Halilajve” thuhet se është ndërtuar nga një anëtar i fisit Halili dhe ka një rëndësi të madhe historike për shkak të stilit të saj venecian. Ajo pozicionohet midis fshatrave Dars, Bel e Fullqet dhe gjendet mbi degën e zallit të Gjabzës, rreth 500 metra larg grykëderdhjes së tij në lumin Mat. Gjatësia e saj është 19,5 m dhe gjerësia e trasesë është 2.60 m. Lartësia e harkut të urës është 9 m. Ura ka një dritare me lartësi 1.7 m dhe gjerësi 1.1 m. Traseja e urës është ndërtuar me gurë, ku shtresa e parë (poshtë) është me gurë shtufor të gdhendur në mënyrë kuadratike dhe shtresa e dytë (sipër) është me gurë lumi. Harku i urës ka një gjatësi prej 15 m.