Kjo është ura e fshatit Gërman në Njësinë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit. Kjo urë u ndërtua rreth 5 vite më parë, ndërsa vazhdimisht është përballur me rrezikun e shembjes. Problemet e para dolën në të dy këmbët e kësaj ure pasi ujërat e mëdha që mblidheshin nga zalli i Gërmanit, i gërryenin ato, duke u bërë një rrezik shumë i madh për shembjen e tyre.
Por një tjetër rrezik i kanoset sot kësaj ure. Gërryerja e bazamentit, po vë në pikëpyetje jetëgjatësinë e saj. Mat Tv e ka trajtuar edhe më parë problemin e kësaj ure si një shqetësim i madh i banorëve të zonës, por ende nuk është marrë asnjë masë.
Uji vijon të gërryejë dheun poshtë bazamentit, ndërsa mbi urë kanë dalë hekurat e shtresës që rrezikojnë çarjen e gomave të automjeteve.
Specialistët këshillojnë ndërtimin e një argjinature për të shpëtuar urën nga shembja.
Jashtë kameras banorët e Gërmanit ngritën edhe shqetësimin e dëmtimit të rrugëve nga punimet që po kryhen për ndërtimin e ujësjellësit. Ata kërkojnë që rrugët të kthehen në gjendjen e mëparshme nga firma, ndryshe paralajmërojnë protesta.