Ura e Ferrë-Shkopetit që po shpopullon fshatrat
Kjo është ura e fshatit Ferrë-Shkopet që pak vite më parë ishte në shërbim të qindra banorëve të fshatrave përreth por edhe një destinacion për vizitorët. Për shkak të pozicionit gjeografik në të cilin ndodhej, ura tip pasarelë u bë shumë e famshme në rrjetet sociale ku çdo ditë vizitohej nga dhjetra qytetar. Por ajo që është më e rëndësishme mbetet domosdoshmëria e banorëve të Ferrë-Shkopetit dhe disa fshatrave të tjerë që e përdorin këtë urë për tu lidhur me rrugën nacionale Burrel – Skuraj e më pas lëviznin në drejtim të Milotit apo destinacioneve të tjera. Prej afro 7 vitesh ura vijon të jetë në këtë gjendje ndërsa pushteti vendor në Kurbin nuk ka marrë asnjë masë për rikthimin në gjendjen e mëparshme. Në fakt ura është ndërtuar nga një donacion ndërkombëtar para disa vitesh pas kërkesës së vazhdueshme të bërë nga banorët. Këta të fundit e përdornin edhe për varrezat që i kanë ngjitur me rrugën nacionale Burrel – Skuraj. Degradimi i kësaj ure mbetet evident, ndërsa kohët e fundit asaj po i vidhen edhe pjesët metalike të cilat dyshohet se shiten për skrap nga persona të papërgjegjshëm.