KOVASHICA, FSHATI NË BULQIZË QË PO BRAKTISET EDHE NGA MOSHA E TRETË
Fshatrat e Bulqizës nuk po përballen vetëm me largimin masiv të rinisë, por kohët e fundit edhe të moshës së tretë. Shembulli tipik i këtij fenomeni është fshati Kovashicë në Njësinë Administrative Shupenzë. Në këtë fshat rinia është larguar me kohë, teksa i kanë lënë shtëpitë bosh, që tashmë kanë nisur të rrënohen. Në shkollën e këtij fshati pak vite më parë mësonin rreth 70 nxënës, ndërsa sot ajo i ka të kyçura dyert. Ato pak banorë që kanë mbetur ende aty thonë se fshati Kovashicë është drejt braktisjes së plotë, ndërsa shtojnë se investimet në rrugë dhe ujësjellës janë bërë vetëm pasi u larguan thuajse të gjithë. Banorët tregojnë se si ky fshat u braktis nga viti në vit. Edhe ata pak të moshuar që kanë mbetur ende në Kovashicë nuk ka kush t’u shërbejë pasi kanë mbetur të vetmuar, pa asnjë të afërm të familjes. Shpresa për rikthimin e jetës si dikur në këtë fshat është humbur, ndërsa banorët thonë se kjo ka ardhur si pasojë e një shpopullimi të mirëmenduar nga politika. Ashtu si fshati Kovashicë edhe fshatrat e tjerë të Bulqizës po përballen me fenomenin e largimit masiv të banorëve.