Nuk ka ende fitues për aksin Qaf Buall – Krastë, rruga degradohet
Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka ende një fitues për punimet shtesë që do të bëhen në aksin rrugor Qaf Buall – Krastë me gjatësi 16.5 kilometra. Ndonëse është hapur një procedurë e prokurimit publik nga ARRSH që me datë 6 Gusht, nuk ka ende një kompani apo bashkim kompanishë fituese për zbatimin e projektit. Data e fundit për dorëzimin e dokumenteve të tenderit dhe hapja e ofertave ka qenë 9 Shtatori, por edhe pse kanë kaluar afro dy javë, nuk ka një fitues për zbatimin e këtij projekti shtesë. E teksa pritet shpallja e kompanisë apo kompanive fituese të këtij projekti, rruga sa vjen e degradohet. Me nisjen e reshjeve të shiut, rruga është amortizuar akoma më shumë me të cilën përballen çdo ditë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Martaneshit dhe anasjelltas në drejtim të Qafës së Buallit. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. ARRSH njoftoi se projekti “Plotësim i punimeve rruga Qafa e Buallit - Martanesh”, me gjatësi 16.5 kilometra, do të kushtojë afërsisht 11 milion euro, ndërsa po aq janë shpenzuar deri tani për zgjerimin e këtij aksi rrugor.