Banorët që përdorin urën tip pasarelë në fshatin Dom të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit, që i lidh ata me rrugën nacionale, vijojnë të bëjnë apel për ndërhyrje. Sipas banorëve ura vijon të jetë problematike përsa i përket sigurisë së kavove mbajtëse të cilat vijojnë të jenë të lidhura me një tel. Po ashtu, problem mbetet edhe shtresa e saj e cila sipas banorëve është e kalbur dhe e pasigurtë.
Vladimir Hutra shprehet se ndonëse për urën është bërë problem disa herë, masat e marra në të janë të pakta, ndërsa ajo përdoret nga qindra banorë në ditë. Kjo urë është e detyruar të mbajë tonazh mbi kapacitetin e lejuar, pasi banorët nuk kanë alternativë tjetër për të kaluar tek banesat e tyre.
Banorët vijojnë t’i qëndrojnë idesë përtë bërë funksionale urën e trenit e cila ndodhet pak metra më larg, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur përfundimisht transportin në fshatrat Dom e Zall-Rripë.