Ura e re që do të lidhë fshatrat e Njësisë Administrative Gurrë të Bashkisë së Klosit, Dom dhe Zall Rripë me rrugën nacionale Klos – Burrel, është drejt përfundimit. Ditët e fundit është bërë e mundur që të vendosen trarët e kësaj ure, duke i dhënë formën e plotë.

  Pas përfundimit të ndërtimit të tre këmbëve mbi lumin Mat, ura tashmë është në proceset e fundit të përfundimit të saj. Zbatimi i projektit për ndërtimin e kësaj ure ka nisur që vitin e kaluar si një domosdoshmëri shumë e madhe për qindra banorë që përdornin urën e dëmtuar tip pasarel dhe që rrezikonin jetën në të.

Burime nga kompania e cila po zbaton projektin thanë se finalizimi i punimeve pritet të bëhet shumë shpejt, para se të nisin temperaturat e ulta. Në këtë mënyrë, banorët e Domit dhe Zall Rripës në bashkinë Klos, si dhe të gjithë ata që lëvizin në këto fshatra, do të mund të përdorin të sigurt në stinën e dimrit, urën e re prej betoni.