Urat tip pasarelë dhe ato tip bel vazhdimisht kanë probleme me shtresën e dërrasës. Ndonëse ato janë zgjidhje për banorët e fshatrave ku përdoren, shpesh ata përballen me probleme për kalimin mbi to. E tillë është edhe situata në fshatin Dars të Bashkisë Klos. Ndonëse në këtë urë, bashkia ndërhyri pak muaj më parë duke riparuar disa nga dërrasat e thyera, banorët thonë se situata është përsëritur.

Ata kërkojnë që të gjendet një zgjidhje për shtresën e këtyre urave që të mos ketë nevojë për ndërhyrje të vazhdueshme në të. Kalbja e dërrasave dhe krijimi i hapsirave boshe mbi urë, përbën rrezik për kalimtarët.

Kjo urë lidh qindra banorë të fshatit Dars me qytetin e Klosit, e po ashtu përdoret edhe nga banorë të fshatit Shkallë të Njësisë Administrative Xibër.