Kjo është ura që lidh një pjesë të fshatit Fshat e atij Dars me qytetin e Klosit. E njohur si ura e ish pazarit të vjetër, shërben edhe për banorët e Njësisë Administrative Xibër. Në këtë situatë ku transporti publik është i ndaluar, banorët e Xibrit detyrohen të lëvizin në këmbë deri në Klos për të bërë furnizimet e nevojshme. Ky është Hysni Fejza nga fshati Xibër – Murrize i Njësisë Administrative Xibër. Ai ka udhëtuar tre orë për të zbritur në Klos ku dhe ka bërë blerjet e nevojshme. Ai po i transporton ushqimet me kalë, por kalimi në urë është i rrezikshëm jo vetëm për atë por edhe për kafshën e ngarkesës. Hysniu thotë se duhet të tregohet shumë i kujdesshëm pasi mund të rrezikojë thyerjen e këmbëve ai dhe kali. Banorët përreth thonë se thyerja e dërrasave ka ardhur si pasojë e amortizimit të tyre, por edhe nga kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë mbi to. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga bashkia, pasi ura për pak kohë mund të bëhet totalisht e pakalueshme.