Tabela që tregonte investimin që do të kryhej në aksin rrugor Ura e Çerenecit – Librazhd, dhe që ishte vendosur rreth 1 vit më parë, është shembur prej mëse 2 muajsh, si të jetë një objekt i pavlerë. Në fakt vlera e kësaj tabele ishte vënë në diskutim nga investitorët që kur në të nuk ishte shënuar asnjë datë fillimi dhe mbarimi punimesh, dhe për banorët kjo tabelë thjeshtë ishte një mashtrim kundrejt tyre.

Aksi rrugor Ura e Çerenecit – Librazhd ka një gjatësi prej 47 kilometrash dhe lidh Qarkun Dibër me atë të Elbasanit. Traseja e rrugës është hapur që në vitin 2011. Banorët e zonës së Gollobordës janë në pritje të nisjes së punimeve për rehabilitimin e segmentit rrugor Ura e Çerenecit – Librazhd, një investim ky i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por ky investim ende nuk ka nisur duke bërë që aksi rrugor të jetë me gropa të shumta dhe vërshime ujërash në mes të rrugës.

Drejtuesit e mjeteve shprehen se vetëm nëpër fushata elektorale kjo rrugë vihet në ligjërimin e politikanëve për tu investuar, por jo vetëm që rruga nuk po asfaltohet por nuk ka më edhe mirëmbajtje.

Përdoruesit e rrugës dhe banorët e zonës së Gollobordës kërkojnë nga instancat përkatëse që në rrugën Ura e Çerenecit – Librazhd, të investohet sa akoma nuk ka ardhur dimri për mbushjen e gropave dhe hapjen e kanaleve anësore, që rruga të mos dëmtohet më shumë për t’u bërë e pakalueshme.