Aksi rrugor Ura e Çerenecit – Librazhd ka një gjatësi prej 47 kilometrash dhe lidh Qarkun Dibër me atë të Elbasanit. Traseja e rrugës është hapur që në vitin 2011. Banorët e zonës së Gollobordës janë në pritje të nisjes së punimeve për rehabilitimin e segmentit rrugor Ura e Çerenecit – Librazhd, një investim ky i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por edhe pse tabela për këtë investim është vendosur më shumë se 7 muaj më parë, pa shënuar një datë fillimi dhe mbarimi punimesh, banorët shprehen se nuk shohin askund që të punohet dhe e quajnë këtë tabelë thjeshtë një mashtrim kundrejt tyre.

Një banor i zonës shprehet se në periudhën e verës rruga Ura e Çerenecit – Librazhd, krijon pluhur nga zhavorri që hidhet për të mbushur gropat. Më të ndëshkuarit janë ato banorë që kanë të mbjella pranë rrugës ku pluhuri u ka dëmtuar tërësisht frutaperimet.

Nga ana tjetër, banorët shprehen se asfaltimi i kësaj rruge është premtuar prej 10 vitesh, ndërsa qeveritarët vendor e qëndror e përdorin vetëm si premtim elektoral e më pas nuk ndryshon asgjë.