
Unaza e qytetit të Peshkopisë mbetet peng e një porte hekuri. Situata këtu është tragjikomike pasi unaza humbet kuptimin e saj sepse në dalje ku bashkohet me rrugën aktuale mbyllet me dy porta hekuri. Ato janë portat e një biznesi dhe hapen vetëm disa orë në ditë kur punëtorët janë në punë, dhe kryesisht për këmbësorët nga ora 9 deri në 13:00.
Unaza e qytetit ishte projekt i Rilindjes Urbane , ku do të ndërtohej 1.4 km rrugë e re me vlerë 1.1 milionë €. Në fakt punimet janë kryer pjesërisht dhe punimet u braktisën duke lënë unazën të pa mbaruar. Afati i fundit ishte nëntori i 2018, ndërsa vepra ende nuk është mbyllur. Banorët tregojnë se rruga për gjatë gjithë gjatësisë së saj kalon nëpër toka me pronarë të cilat edhe pse nuk janë shpronësuar, punimet nuk janë penguar. Punimet janë bllokuar në pjesën fundore dhe Bashkia nuk ka menduar as t’i shpronësojë dhe as të ndërhyjë për hapjen e Unazës.
Punimet e lëna përgjysëm kanë shkaktuar kaos jo vetëm në qarkullimin e automjeteve por edhe të këmbësorëve pasi ata duhet të gjejnë rrugë alternative për të rënë në unazë.