Unaza e poshtme e qytetit të Burrelit vijon të jetë një aks i harruar dhe i braktisur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili e ka në inventar këtë segment si pjesë e rrugës nacionale Milot – Peshkopi.

Për shkak të mungesës së mirambajtjes, rruga është bërë e pakalueshme për mjetet e vogëla, ndërsa në të mund të kalojnë vetëm kamionat. I vetmi investim i bërë në të është ai i banorëve të cilët me aq sa mundësi kanë, hedhin ndonjë inert që del nga punimet që bëjnë në banesat e tyre.

Kanalet dhe gropat e mëdha në këtë aks rrugor poshtë parkut të Burrelit, e bëjnë të pamundur lëvizjen e mjeteve të vogëla.

Jashtë kameras banorë të zonës thonë se prej vitesh nuk po ndërhyhet në këtë segment i cili ka nevojë për një rehabilitim të plotë, sidomos në ndërtimin e kanaleve kulluese anësore dhe shtrimin e gjithë rrugës.