Liqeni i Ulzës po përballet me rënie të nivelit të ujit që në këtë periudhë vjen edhe si rezultat i mungesës së reshjes së shirave. Megjithatë, problemi i vazhdueshëm i këtij liqeni është shfrytëzimi për prodhimin e ernergjisë nga ana e kompanisë që ka privatizuar hidrocentralin.

Në këtë basen ujor tashmë janë me dhjetra mijëra peshq të cilët kanë ardhur si pasojë e shtimit natyral, por edhe hedhjes së rasatit gjatë vitit të kaluar e këtë vit. Megjithëse tashmë për baneset ujore Ulëz e Shkopet ka një Organizatë për Menaxhmin e Peshkimit, prej kohësh monitorohet gjuetia e paligjshme.

Inspektorët e Inspektoriatit të Peshkimit në Qarkun Dibër, Inspektori i Peshkimit pranë Bashkisë Mat, Roja i Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Ulëz, vijojnë kontrolle të pandërprera për të ndaluar gjuetinë e paligjshme në basenet ujore të Ulzës dhe Shkopetit. Gjuetia në këto liqene tashmë është bërë në mënyrë të organizuar dhe se të gjitha grupet e peshkatarëve apo individët duhet të regjistrohen për të zhvilluar këtë aktivitet.

Gjuetarët do të lejohet të peshkojnë në liqenet Ulëz e Shkopet vetëm me rrjetë ose grep, ndërsa ndalohet në mënyrë kategorike gjuetia me mjete të tjera, si lëndë shpërthyese apo me gjenerator. Kontrollet janë zhvilluar natën dhe ditën, ndërsa në ndihmë të grupeve shkojnë edhe përfaqësues të policisë së shtetit.