Pensionistët e Homeshit që luftojnë për mbijetesë
Pensionistët që jetojnë në fshatra përballen më së shumti me vështirësi ekonomike për shkak të nivelit shumë të ulët të pensionit që marrin. Të detyruar nga nevoja për më shumë të ardhura ekonomike ata bëjnë punë të ndryshme. Në fshatin Homesh të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë Bulqizë, pensionisti Rizvan Rudi për të ndihmuar të ardhurat e tij familjare punon si “nallban” (mbathtar), një profesion që lidhet me vendosjen e patkonjëve tek kafshët e ngarkesës. Rizvani është i vetmi në zonë që ushtron këtë zanat. Ai thotë se e bën këtë punë nga nevoja e përmirësimit të të ardhurave ekonomike pasi pensioni nuk i mjafton. Sherif Mena është një tjetër pensionist që thotë se pensioni nuk i mjafton për të jetuar normalisht, ndaj dhe të gjitha punët në bujqësi i kryen me kafshë ngarkese e jo me makineri bujqësore. Pensionet e fshatit mbeten më të ulëtat në vendin tonë, pasi vlera nuk kalon më shumë se 12 mijë lekë të rinj, por që janë të pamjaftueshme për pensionistët të përballuar jetesën.