Bllokohet rruga Qaf Buall - Martanesh, shembet një masiv shkëmbor
Rruga Qaf Buall - Krastë që lidh Bulqizën me zonën e Martaneshit është bllokuar këtë të enjte përreth 3 orë. Një masiv i madh shkëmbor u shemb në afërsi të vendit të quajtur "Ura e Luçanës". Kjo ka bërë që qarkullimi të bllokohet totalisht ku disa automjete kanë mbetur në të dyja anët e shembjes duke mos shkuar në destinacion për më shumë se tre orë. Wshtë dashur ndërhyrja e një mjeti tip fadrom për të bërë të mundur largimin e masivit shkëmbor dhe hapjen e qarkullimit normal për atuomjetet. Ky aks rrugor po i nënshtrohet një investimi prej rreth 11 milion euro që përfshin izolimin e skarpatave me rrjetë e beton, ndërtimin e veprave të artit dhe shtrimin me asfalt. Ky fond është vazhdim i investimit të mëparshëm me po 11 milion euro që përfshiu zgjerimin e trasesë dhe kishte të planifikuar shtrimin me asfalt. Të dyja vlerat e tenderit kapin vlerën e rreth 22 milion euro për një rrugë me gjatësi 16.5 km. Punimet shtesë për projektin në fjalë sapo kanë nisur, ndërsa reshjet e shiut rrezikojnë të tjera shembje për shkak të zgjerimit të skarpatës në të gjithë gjatësinë e tij.