Skuraj - Burrel, shpallet kompania fituese për rikonstruksionin e gjithë aksit
Ka përfunduar e gjithë gara për projektin që parashikon rikonstruksionin total të rrugës nacionale Skuraj – Burrel, me gjatësi 35.6 kilometra, financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Punimet për rikonstruksionin total të këtij aksi nacional duhet të përfundohen brenda 15.5 muajve nga nënshkrimi i kontratës mes investitorit dhe kompanive fituese të tenderit. Pas dhënies së ofertave nga 12 kompani e bashkim kompanish, Agjensia e Prokurimit Publik ka përzgjedhur fituesin e kësaj gare. Fondi limit i parashikuar për këtë investim ishte parashikuar në vlerën e 866.2 milion lekëve të rinj, ose rreth 9.5 milion euro me kursin ditor të këmbimit valutor. Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara fitues për investimin “Ndërhyrje për përmirësimin e konektivitetit rajonal dhe infrastrukturës urbane, etj: Projektimi dhe zbatimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës Skuraj – Burrel është shpallur bashkimi i kompanive “AL-BASALT” shp.k dhe “BAMI HOLDING” shpk. Vlera me të cilën e kanë fituar tenderin bashkimi i këtyre kompanive është rreth 300 milion lekë të rinj më pak se fondi limit ose 6.2 milion euro. Pra 34.8% më pak se fondi limit për këtë investim. Sipas emërtimit të këtij tenderi firmat fituese fillimisht duhet të hartojnë projektin dhe më pas duhet të nisin punën për rikonstruksionin e rrugës.