Fshati Kloskatund, në Bashkinë Klos, historikisht ka vuajtur për ujë të pijshëm. 90-vjeçari Ahmet Fiku tregon se banorët e këtij fshati për të mbijetuar kanë ecur për orë të tëra drejt burimeve të pakta për të mbushur ujë duke mbajtur radhë. Pas viteve ’90 u premtuan fushatë pas fushate rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm, madje nisën dhe investimet, por banorët e Gurit të Bardhë nuk e lejuan një gjë të tillë. Në këto kushte disa familje nisën të hapin puse, me vlera të kushtueshme, të ndihmuara edhe nga emigrantët. Por edhe ky investim nuk është se i përmbush nevojat e banorëve pasi kapaciteti ujëmbajtës i puseve nuk mjafton për një familje me mbi tre anëtarë.
Banorët e fshatit Kloskatund, në Bashkinë Klos shpresojnë se projekti i marrjes së ujit nga Martaneshi, i cili ka 3 vite që ka nisur, të plotësojë më në fund nevojat e tyre me ujë të pijshëm. Por Kloskatundi vuan edhe për ujë vaditës, që nga hapja e traverbankut të Klosit, por edhe nga ndërtimi i disa HEC-eve të vegjël.