Uji i kanalit të Klosit vjen deri në Mallunxë
Uji vaditës që vjen nëpërmjet kanalit të Klosit ka arritur me 1 Korrik deri në fshatin Mallunxë. Për shkak të një problemi me sifonin në përroin e fshatit Shoshaj, nuk ka qenë e mundur që uji të vazhdojë drejt fshatit Zenisht. Megjithatë, drejtuesit i punimeve pranë firmës e cila po zbaton kontratën e vënies në funksion të kësaj vepre vaditëse, Basir Salaj, puna do të vijojë pa ndërperje dhe po bëhet e mundur që tubacioni i dëmtuar të rivihet në funksion dhe uji të vazhdojë në drejtim të fshatit Zenisht ku do të kenë mundësinë banorët ta përdorin për vaditje. “Vonesa në procedurat e ndërhyrjes në këtë vepër vaditëse nga Drejtoria e Bordit të Kullimit Durrës bëri që puna të nisë me vonesë dhe fermerët e luginës së Matit të mos e kishin në kohë ujin vaditës për të mbjellat. Megjithatë, aktualisht e gjithë lugina deri në fshatin Shoshaj po vadit” – tha ndër të tjera Salaj. Kanali i Klosit është vepra më e madhe vaditëse në rrethin e Matit, pasi ai përfshin të dyja bashkitë dhe mbulon me ujë vaditës qindra hektarë tokë bujqësore.