Nisin punimet për ujëmbledhësin e rezervuarit të Bazit
Banorët e disa fshatrave të Njësisë Administrative Baz, në Bashkinë e Matit, pritet që vitin e ardhshëm të kenë më shumë ujë vaditës. Prej pak ditësh ka nisur zbatimi i projektit për ndërtimin e ujëmbledhësit të rezervuarit të Bazit, që u shërben disa fshatrave për vaditje. Po ashtu, ky ujëmbledhës pritet të shërbejë edhe për furnizimin e rezervuarit të dytë, që furnizon me vaditje fshatin “Drita” etj. Për të parë nga afër ecurinë e punimeve ishte kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni, i cili tha se kjo vepër do të zgjidhë një problem të kahershëm të banorëve të disa fshatrave në Njësinë Administrative Baz. Ndërkohë, banorët që përfitojnë nga ky investim thanë se është një vepër e shumëpritur dhe se me ndërtimin e saj pritet të mos kenë më probleme me ujin vaditës. Vlera e investimit është rreth 95 milionë lekë të rinj dhe punimet duhet të përfundojnë brenda 9 muajve.