Ulza e Bazi pa energji elektrike, shkak defekti në një kabinë
Mijëra banorë të njësive administrative Ulëz e Baz në Bashkinë e Matit janë pa furnizim me energji elektrike që prej orës 20:00 të së enjtes. Shkak mësohet të jetë një kabinë elektrike që ndodhet pranë Hidrocentralit të Ulzës. Banorët deklarojnë se prej mbrëmjes së kaluar nuk është rikthyer energjia elektrike duke bërë që pasojat të jenë të mëdha jo vetëm për abonenët familjarë por edhe bizneset. Banorët fajësojnë Kompaninë KURUM e cila sipas tyre nuk po bën zëvendësimin e transformatorit dhe rikthimin e energjisë elektrike. Problemet sipas banorëve kanë nisur që kur HEC-et Ulëz e Shkopet u privatizuan nga kompania turke KURUM. Ndërsa ekspertë të fushës shprehin shqetësim edhe për sigurinë e digave dhe nivelin e ujit në rezervuarë, duke u bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe organeve të kontrollit të kryejnë verifikime urgjente për administrimin dhe sigurinë e dy hidrocentraleve. Mbrëmjen e së enjtes probleme me energjinë elektrike si pasojë e erës së fortë ka patur edhe në qytetin e Burrelit, por dhe në shumë zona të Qarkut Dibër, si pasojë e shembjes së shtyllave rrymëpërcjellëse. Nga ana tjetër OSHEE njofton se në terren ka nxjerrë disa grupe që po punojnë me riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq kryesisht në dëmtimin e shtyllave dhe këputjen e telave.