Treva e Matit ka një pasuri të jashtëzakonshme jo vetëm në lëmin e historisë por edhe të natyrës. Destinacioni ynë i radhës janë dy ujëvara që shumë pak e dinë që ekzistojnë. Bëhet fjalë për dy ujëvarat në fshatin Frankth të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit. Për të shkuar deri aty, duhet të ecësh në këmbë në një rrugë të cilën banorët e këtij fshati e bëjnë çdo ditë.

Pamja e ujëvarës së parë është vërtetë shumë e bukur e shoqëruar më shkëmbinj të lartë anash saj. Sasia e madhe e ujit që lëviz me rrëmbim e bën atë shumë tërheqëse, shoqëruar edhe nga pellgu që ka krijuar në fund të saj.

Ndërsa ujëvara e dytë, gjendet vetëm pak metra më larg, e për ta shijuar atë duhet të ngjitesh në shkëmbinj.

Në këtë pikë mund të shijosh të dy ujëvarat njëherësh pasi ndodhesh mbi ujëvarën e parë dhe në fund të pellgut të krijuar nga ana e dytë.

Të rinjtë e fshatit Frankth por edhe fshatrave të tjerë përreth kalojnë orët e nxehta të ditës pranë këtyre dy ujëvarave në ujin e kristaltë që buron nga mali i Qafshtamës.

Këto dy ujëvara ndodhen jo shumë larg qytetit të Burrelit, vetëm 2 kilometra nga fshati Frankth.