Qindra banorë të fshatrave Çërnenë e Vojnik në Njësinë administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër po përballen prej vitesh me praninë e ujërave të zeza në sipërfaqe. Situata është bërë akoma më shumë problematike me rritjen e temperaturave. Prania e ujërave të ndotura nis që nga rreth-rrotullimi i Maqellarës e shkon deri në afërsi të urës së Topojanit. Banorët e Çernenës dhe ata të Vojnikut shprehen se prej vitesh po gënjehen për sistëmimin e ujërave të ndotura. Ata ngrejnë shqetësimin e përhapjes së infeksioneve për shkak se tek ujërat e zeza në kanale afrohen edhe insekte të cilat transmetojnë tek njeriu infeksione të ndryshme. Banorët i bëjnë apel pushtetit vendor në Dibër ta zgjidhë sa më parë këtë situatë pasi gjendja aktualisht është alarmante.
Në mungesë të kanaleve të mbyllura dhe hapsirave për hapjen e gropave septike, banorët e Vojnikut dhe ato të Çernenës i derdhin ujërat e ndotura në kanalin anësor të rrugës nacionale Peshkopi – Bulqizë. Këta dy fshatra kanë banesa të grumbulluara ç’ka e bën më të lehtë ndërtimin e rrjetit të ujërave të ndotura, por investimi i dëshiruar për këta banorë ka munguar në këto 30 vite