Fshati Suç në Njësinë Administrative me të njëjtin emër në Bashkinë e Klosit vijon të përballet me ndotje të shkaktuar nga prania e ujërave të zeza në sipërfaqe.

Në mungesë të një sistemi për ujërat e ndotura, ato rrjedhin lirshëm në sipërfaqe. Më problematike situata paraqitet në afërsi të shkollës së mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” e cila sapo është rikonstruktuar dhe pritet të rihapë dyert për nxënësit në muajin Shtator.

Jashtë kameras, banorët e zonës kërkojnë që të ndërhyhet sa më parë në sistemimin e ujërave të ndotura pasi me nisjen e vitit të ri shkollor, ky do të jetë një problem i shtuar për qindra nxënës që do të ulen në bankat e shkollës.

Sistemi i ujërave të ndotura në fshatin Suç ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të këtij fshati në këto 34 virte demokraci, por deri tani asnjë nga të zgjedhurit e pushtetit vendor nuk e ka zgjdhur si problematikë. Veç ndotjes së ajrit në zonë, prania e ujërave të zeza ndot edhe tokën, pasi rrjedh lirshëm në sipërfaqe dhe në ditët me shi, del në toka bujqësore.