Ndonëse ndalen për të shijuar bukurinë e rrallë të luginës së Shkopetit apo për të pirë ujë nga burimi aty pranë, udhëtarët dhe drejtuesit e mjeteve vijojnë të mos kursehen me ndotjen e mjedisit.

Siç duket nga pamjet, mbetje të ndryshme hidhen pakriter në këtë zonë, edhe pse aty pranë është vendosur një kontejner mbeturinash nga Bashkia e Matit. Me sa kuptohet, ata që ndalohen aty e kanë më kollaj t’i hedhin mbeturinat plastike në bregun e liqenit sesa t’i hedhin në koshin që është vendosur prej vitesh, qëllimisht që mjedisi të mbahet i pastër.

Përveç atyre që e përdorin si tranzit këtë rrugë për të qarkulluar në drejtim të Qarkut Dibër apo zonave të tjera veriore, ndotja shkaktohet edhe nga ata persona që vijnë për të mbushur ujë për konsum familjar apo biznese të zonës së Kurbinit.

Kjo dallohet qartë pasi pjesa më e madhe e mbetjeve janë bidona plastikë shumëlitërsh të cilët përdoren nga këta individë që vijnë në interval të ndryshme kohore.

  Kjo është pika më e ndotur e luginës së Shkopetit, edhe pse herë pas here pastrohet nga autoritetet vendore.