Sot, minatori Selim Lela, ka zbuluar se garon për deputet në qarkun e Dibrës, nën logon e “Nismës Thurja”. 26-vjeçari ka reaguar dhe këmbëngul se nuk ka kërkuar që të ishte pjesë e listave, duke sqaruar edhe arsyen e takimit të vetëm me përfaqësuesit e “Nisma Thurje”.

Featured image of article: U zgjua kandidat për deputet! “Nisma Thurje” ngushtë me emrat? Futë në garë minatorin, Selim Lela: I takova, më bënë foto. U habita shumë…

TIRANË– Një ditë mund të zgjohesh dhe të garosh për deputet pa e ditur! Kjo ndodh vetëm në Shqipëri! Sot, minatori Selim Lela, ka zbuluar se garon për deputet në qarkun e Dibrës, nën logon e “Nismës Thurje”. Por ai kurrë nuk ka kërkuar që të jetë në listë, megjithatë në 25 prill, qytetarët e qarkut ku ai garon do të kenë mundësi që të votojnë dhe për të. 

Vetëm Selim Lela ka sqaruar në rrjetin e tij social në Facebook se e kishte marrë vesh vetëm dje se ishte përfshirë në garë, duke shtuar se të vetmin takim që ka pasur me përfaqësuesit e “Nisma Thurje” kanë qenë për statusin e minatorit. Madje ai shton se gjatë takimit i kanë shkrepur edhe një pozë, duke pretenduar se kanë keqpërdorur besimin e tij. Dosja.al tentoi ta kontaktonte por Lela zgjodhi të mos e komentonte gjatë çështjen e tij. 

“Mbrëmë kam marrë vesh se qenkam kandidat për deputetë nga Nisma Thurje. U habita shumë, se Nismën Thurje e kam takuar për çështjen e statusit të minatorit. Ata më kanë bërë një fotografi për ketë gjë, por e kanë keqpërdoru besim tim. Unë nuk jam kandidat për deputet. Kandidati i pavarur i minatorëve është Elton Debreshi, të cilin do ta mbështesim dhe do të fitojë. Më falni të gjithë për keqkuptimin,”-shkruan ai.

Dosja.al shkoi dhe më thellë çështjes, duke “gërrmuar” në profilin zyrtar të “Nismës”, ku gjetëm dhe një foto të Lelës me një dedikim për votuesit e tij. Në statusin e gjatë, minatori rrëfente për jetën e tij të vështirë për të pasuruar të ashtuquajtur “Lugatin e Minierave”.

“I di hallet e minarorëve, pasigurinë e tyre në punë, rrogat e tyre të ulta e mbi të gjitha sëmundjet e profesionit që nuk i lejojnë ta gëzojnë pensionin e moshën e pleqerisë. Ndaj kërkoj mbështetjen e të gjithë bashkëqytetarëve të mi, të bashkëkombasve të mi, që më 25 Prill unë të jem një prej 140 deputetëve në Parlament. Së bashku me kolegët e Nisma Thurje, do të dërgojmë përpara 33 projektligje për të përmirësuar jetën e minatorit, fermerit, profesionistit të lirë, rinisë, pensionistëve e gjithë shqiptarëve. Duhet që të dobësojmë pushtetin e lugetërve dhe vendin tonë ta marrim ne, shqiptarët. Boll më me kryetar partisë të lidhur me oligarkët. Boll më me poshtërim ekonomik e social,”-shkruhet në postimin që pretendohet se ishte ideuar dhe shkruar nga Lela.

POSTIMI I PLOTË: 

Unë duhet të jem i varfër që Zamiri të jetojë gjithë jetën i pasur! Këtë helmetë që kam në kokë ja merrja shpesh tim ati sa herë që kthehej nga puna. Nuk e dija se çfarë vuajtjesh fshiheshin pas saj. Sot e kuptoj shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh minator. Quhem Selim Lela, jam 26 vjeç dhe do të kandidojë për deputet në qarkun e Dibrës. Kur isha i vogël kam shkuar pas babait tim në minierë. Nuk kisha ndonjë pasion të madh për atë punë por e ndihmoja sa mundesha për të siguruar disa të ardhura jetike në muaj. Ky profesion mu la trashgimi, e bashkë me të edhe sakrifica e përditëshme e të punuarit nën tokë. Im atë do të ishte krenar që po vazhdoj profesionin e tij por ai as nuk më sheh e as nuk më dëgjon dot. Nuk më sheh sa i lodhur vij në shtëpi, nuk e dëgjon as klithmën time të përnatshme. Një aksident në minierë i kushtoi atij shikimin dhe dëgjimin. Punonte pa kushtet e nevojshme në galeri, ashtu sikundër po punoj edhe unë sot. Vite më parë provova ta lë minierën. Vendosa të emigrojë për një punë dhe të ardhura më të mira. Nuk ja dola dot të përshtatesha. Provova sërish e sërish por prap rrugët më mbylleshin. Kështu që vendosa të kthehem në vendlindje dhe të përballem me të veten punë që mund të bëja. Ashtu si unë, janë mijëra njerëz të tjerë që jetojnë, ecin dhe flenë mbi pasuri. Pasuri të jashtëzakonshme natyrore që po eksportohen çdo ditë me kampion. Tonelata mineralesh që shiten dhe paratë përfundojnë në xhepat e Lugatit. Të gjithë e njohim “Lugatin e Minierave”, besoj se e njihni dhe ju. Jemi zotër të kësaj toke të bekuar por Lugati na ka kthyer në skllevër të saj. Dora e ngrohtë që i japin pushtetarës e Tiranës kthehet në kamzhik për ne, për familjet tona, për fëmijët tanë. Unë e dua vendin tim, e dua Bulqizë, Dibrën dhe gjithë krahinën. Provova të largohesha por më vjen mirë që fati nuk deshi të jetojë në emigrim. Nëse të gjithë largohemi, nëse të gjithë heshtim, atëherë në malet tona do të ketë shumë lugetër, e jo vetëm një e dy. I di hallet e minarorëve, pasigurinë e tyre në punë, rrogat e tyre të ulta e mbi të gjitha sëmundjet e profesionit që nuk i lejojnë ta gëzojnë pensionin e moshën e pleqerisë. Ndaj kërkoj mbështetjen e të gjithë bashkëqytetarëve të mi, të bashkëkombasve të mi, që më 25 Prill unë të jem një prej 140 deputetëve në Parlament. Së bashku me kolegët e Nisma Thurje, do të dërgojmë përpara 33 projektligje për të përmirësuar jetën e minatorit, fermerit, profesionistit të lirë, rinisë, pensionistëve e gjithë shqiptarëve. Duhet që të dobësojmë pushtetin e lugetërve dhe vendin tonë ta marrim ne, shqiptarët. Boll më me kryetar partisë të lidhur me oligarkët. Boll më me poshtërim ekonomik e social. Familjet tona po vuajnë jetesën normale ndërsa Lugati e lugetërit jetojnë në vila luksoze dhe vjedhin pasurinë kombëtare. Forca i takon votuesit dhe ne do ta ndryshojmë këtë paradigmën se ky vend nuk bëhet dhe ky vend do të drejtohet nga të fortët.

Mbeten të paqarta arsyet përse një i ri është futur pa dijeninë e tij në listën e kandidatëve, por deri më tani nuk ka asnjë përgënjeshtrim nga ana e subjektit politik.