Mes fshatit “Suç” dhe atij “Kujtim” në Njësinë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit, ndodhen disa tunele të cilat deri në vitin 1997 kanë shërbyer për mbajtjen e municioneve luftarake. Por ashtu siç ndodhi me shumë hotspote në vendin tonë, edhe këto u hapën nga qytetarët dhe u morën municionet luftarake që kishin brenda. Në vitin 2015 gjashtë hotspote ushtarake me municione të paplasura u përfshinë në një projekt pastrimi me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në vendin tonë dhe PNUD, ku u financuan 250 mijë euro.

Mes gjashtë këtyre depove të municioneve luftarake ishin edhe ato në vendin e quajtur “Përroi i Keçit”, ku u pastruan nga forcat xheniere të gjitha predhat e paplasura. Pas këtij pastrimi në vitin 2016 ato u çertifikuan të sigurta dhe nuk ka më asnjë mbetje luftarake në to.

Por ndonëse ato mund të ishin në shërbim të pushtetit vendor, këto tunele i kanë mbuluar ferrat. Ish ministrja e Mbrojtjes në atë vit Mimi Kodheli deklaroi se këto hotspote do t’i dorëzoheshin pushtetit vendor nëse do t’i kërkojë. Megjithatë, siduket pushtetit lokal nuk i kanë interesuar, pasi nuk ka asnjë vëmendje ndaj tyre.

Tashmë këto hotspote mund të kalojnë tek privati vetëm nëpërmjet disa hallkave që janë nga Bashkia, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Mbrojtjes. Specialistët e bujqësisë thonë se këto tunele mund të përdoren në këtë sektor, ndoshta si dhoma frigoriferike apo për kultivimin e kërpudhës.